Kuarteti

Gjatë këtyre viteve të fundit, Elina Duni Quartet është futur gjithnjë e më shumë në hullinë e një kohezioni organik dhe të një larmie qasjesh artistike. Muzikantët duken vërtet të zhytur thellë brenda teksteve. « Ne jemi përqëndruar tek energjia për të cilën ka nevojë kjo poezi, thelbin e së cilës jemi munduar ta përcjellim përmes muzikës sonë. Për mua, çdo muzikë e improvizuar futet tek fryma e xhazit. Ne nuk ndihemi asnjëherë të detyruar që një këngë ta luajmë dy herë në të njëjtën mënyrë. »

Colin Vallon, i cili mes ndikimeve më vendimtare ka përmendur shpesh këngëtarë, duket këtu se e bën pianon e vet të tingëllojë si një zë i dytë që i përgjigjet zërit të këngëtares. Kontrabasisti Patrice Moret, në mënyrën e vet të zgjedhjes së notave, ndërshfaq në këto hapësira tërë zgjuarsinë e tij muzikore dhe tregon ndjeshmërinë e vet të thellë në mirëkuptimin pothuaj telepatik me bateristin Norbert Pfammatter. Duni është krejt e vetëdijshme mbi cilësinë e grupit të vet, dhe e pranon me dëshirë që magjia e muzikës qëndron kryesisht në ndërveprimin që tregojnë anëtarët e orkestrës.

“Nuk kam dashur kurrë që të jem një këngëtare e shoqëruar nga një trio. Që në fillim, unë iu lë shumë hapësirë muzikantëve, me qëllim që ata të shprehen, të improvizojnë dhe kështu eksperimentoj edhe me zërin tim. Jam thjesht një instrumentiste mes të tjerëve. Me kalimin e kohës, ne kemi arritur të ndërtojmë një mirëkuptim të ndërsjelltë, i cili na mundëson kështu që të shkojmë ngado që të dëshirojmë… »