Kuarteti

Gjatë këtyre viteve të fundit, Elina Duni Quartet është futur gjithnjë e më shumë në hullinë e një kohezioni organik dhe të një larmie qasjesh artistike. Muzikantët duken vërtet të zhytur thellë brenda teksteve. « Ne jemi përqëndruar tek energjia për të cilën ka nevojë kjo poezi, thelbin e së cilës jemi munduar ta përcjellim përmes muzikës sonë. Për mua, çdo muzikë e improvizuar futet tek fryma e xhazit. Ne nuk ndihemi asnjëherë të detyruar që një këngë ta luajmë dy herë në të njëjtën mënyrë. »

Colin Vallon, i cili mes ndikimeve më vendimtare ka përmendur shpesh këngëtarë, duket këtu se e bën pianon e vet të tingëllojë si një zë i dytë që i përgjigjet zërit të këngëtares. Kontrabasisti Patrice Moret, në mënyrën e vet të zgjedhjes së notave, ndërshfaq në këto hapësira tërë zgjuarsinë e tij muzikore dhe tregon ndjeshmërinë e vet të thellë në mirëkuptimin pothuaj telepatik me bateristin Norbert Pfammatter. Duni është krejt e vetëdijshme mbi cilësinë e grupit të vet, dhe e pranon me dëshirë që magjia e muzikës qëndron kryesisht në ndërveprimin që tregojnë anëtarët e orkestrës.

"Nuk kam dashur kurrë që të jem një këngëtare e shoqëruar nga një trio. Që në fillim, unë iu lë shumë hapësirë muzikantëve, me qëllim që ata të shprehen, të improvizojnë dhe kështu eksperimentoj edhe me zërin tim. Jam thjesht një instrumentiste mes të tjerëve. Me kalimin e kohës, ne kemi arritur të ndërtojmë një mirëkuptim të ndërsjelltë, i cili na mundëson kështu që të shkojmë ngado që të dëshirojmë… »

 

Fillimisht duhet thënë se është një zë tejet magjepsës – një zë mes euforisë dhe melankolisë, një zë që të drithëron, e të shkakton mornica. Pastaj është dhe prania e saj skenike aq mbërthyese : magjike dhe në të njëjtën kohë pa asnjë pretendim. Elina Duni e jeton muzikën me një pasion dhe intensitet të papërsëritshëm, me të gjitha poret e trupit.

Elina Duni Portrait

 

Loja e Colin Vallon fillon vërtet aty ku shumica e pianistëve duken se e kanë shterruar shkencën e tyre. Në një mënyrë gati të pabesueshme, të gjallë dhe të guximshme, ai shoqëron rreptësinë formale me harenë e eksperimentimit. Ai nuk mjaftohet thjesht të xhonglojë me meloditë dhe harmonitë, por përfshin në lojën e vet të guximshme edhe elemente të përgatitura të pianos.

Colin Vallon Portrait

Fakti që Patrice Moret nuk flet shumë, vjen ngaqë çdo notë që luan ai, është një histori unike. Këto histori ju përplasin, ju përmbysin, me atë forcën që e kanë vetëm ata që shkrihen të tërë. Fjalët e pakta janë ngaqë ai e di se bukuria iu ikën diskutimeve të gjata, dhe se duhet të dish që ta lësh të afrohet, me durim. Por mënjanë kësaj përkorje minimaliste, Patrice Moret mund të bëhet gjithashtu një provokator dhe të hulumtojë me zgjuarsi çdo cep apo skutë të kontrabasit të tij.

Ky akrobat i ritmit që i zgjeron caqet e veglës së tij, zotëron artin e befasimit dhe të ndryshimeve dinamike, në një mënyrë rrallë herë të arritur. Norbert Pfammatter – me guximet poliritmike, me energjinë e hazdisur dhe arsenalin e vet të tingujve unikë, është një bishë e ndjeshme që i vë muzikës gjurmën e vet.

Norbert Pfammatter Portrait

Albume